Studentët dhe të rinjtë janë mbledhur këtë të martë në protestë para Ministrisë së Arsimit, ku kanë kërkuar përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e problematikave që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Me pankarta në duar, protestuesit kanë përcjellë mesazhet e tyre përmes thirrjeve si “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria”.
Gjatë protestës, situata është tensionuar, ndërsa disa prej pjesëmarrësve kanë hedhur vezë, tullumbace me ujë dhe bojë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit. Protestuesit kanë shkulur gjithashtu gardhin metalik përpara institucionit dhe kanë thyer me gurë xhamat e godinës.

Protesta është pjesë e një tubimi me pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, ku studentët dhe të rinjtë kërkojnë reagim institucional për shqetësimet e tyre.
Ndërkohë, një grup protestuesish është mbledhur edhe përpara Kryeministrisë. Mbetet për t’u parë nëse dy grupimet do të bashkohen në një protestë të vetme apo do të vijojnë tubimet në dy lokacione të ndryshme.


