Ish-zëvendësdrejtori i Kufirit në Korçë, Stiljan Pasho, është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim, pasi u shpall fajtor për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, në dy episode të ndodhura gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Sipas Prokurorisë së Korçës, ish-zyrtari dyshohej se kishte shfrytëzuar pozicionin e tij në Policinë Kufitare për të lehtësuar kalimin e automjeteve që transportonin lëndë narkotike drejt Greqisë, përmes pikës kufitare të Kapshticës.
Gjykata e dënoi fillimisht Pashon me 11 vite burgim, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u caktuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj.
Gjatë procesit gjyqësor, Pasho nuk e pranoi akuzën e trafikimit të narkotikëve, duke pretenduar se veprimet e tij përbënin shpërdorim detyre. Megjithatë, ky pretendim nuk u pranua nga gjykata.
Dy episodet e trafikut të drogës
Episodi i parë lidhet me datën 27 nëntor 2023, kur një automjet tip “Passat”, me 26 kilogramë hashash të fshehur, kaloi përmes pikës kufitare të Kapshticës. Sipas dosjes hetimore, Pasho bashkëpunoi me Lorenco Likën dhe Ervin Ibin, të cilët u arrestuan më pas nga autoritetet greke në pikën kufitare të Kristalopigisë.
Rasti i dytë daton më 6 maj 2024 dhe lidhet me Elton Grabockën, i cili u arrestua së bashku me ish-zyrtarin e policisë. Grabocka u dënua me 8 vite e 8 muaj burgim, pas uljes me një të tretën të dënimit fillestar prej 13 vitesh.
Sipas akuzës, në të dyja episodet Stiljan Pasho ndodhej fizikisht në pikën kufitare të Kapshticës dhe kishte ndërhyrë në procedurat e kontrollit për të mundësuar kalimin e ngarkesave me drogë drejt territorit grek.


