Sadleva Bodo pritet të emërohet në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili u largua nga detyra pas rreth shtatë muajsh në këtë post.
Me marrjen e detyrës, Bodo do të bëhet gruaja e parë që drejton këtë institucion. Emërimi i saj pritet të zyrtarizohet përmes vendimit përkatës në ditët në vijim.
Aktualisht, Bodo mban detyrën e këshilltares së drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa më herët ka mbajtur poste drejtuese në Ministrinë e Brendshme, gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga Fatmir Xhafaj.
Ajo ka ushtruar funksionin e drejtoreshës së Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme.
Ndryshimi në drejtimin e Burgjeve vjen pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili e njoftoi largimin mëngjesin e së hënës, 12 tetor. Kupi ishte emëruar në këtë detyrë më 1 prill 2026, duke pasuar Klevis Qosen, i cili aktualisht drejton Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Largimi i tij shënon një tjetër ndryshim në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, institucion që gjatë 13 viteve të fundit ka ndërruar nëntë drejtues.


