Një apartament i marrë me qira në Shkodër dyshohet se ishte kthyer në ambient për ushtrimin e prostitucionit dhe shitjen e lëndëve narkotike. Për këtë rast, policia ka arrestuar një 29-vjeçare braziliane dhe një 40-vjeçar.
Operacioni është zhvilluar nga Policia e Shkodrës dhe është koduar “Rent Home 10”.
Në kuadër të operacionit është arrestuar shtetasja me inicialet L. S., 29 vjeçe, e dyshuar se e kishte vënë apartamentin që kishte marrë me qira në dispozicion të veprimtarive të paligjshme.
Në pranga ka përfunduar edhe N. H., 40 vjeç, i dyshuar si përfitues nga këto veprimtari kriminale.
Sipas Policisë së Shkodrës, apartamenti dyshohet se përdorej për ushtrimin e prostitucionit, ndërsa aty zhvillohej edhe veprimtari e lidhur me shitjen e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Rent home 10”.
Arrestohet një shtetase braziliane, e cila apartamentin e marrë me qira në lagjen “Ahmet Haxhia”, e kishte vënë në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Në pranga dhe një shtetas, përfitues nga veprimtaritë kriminale, i cili u kap në këtë ambient.
Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe shumë parash (në euro dhe në lekë).
Si rezultat i veprimeve hetimore disaditore, të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, me qëllim dokumentimin e vënies së një apartamenti të marrë me qira, nga një shtetase e huaj, në dispozicion të veprimtarive kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Rent home 10”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasja braziliane, L. S., 29 vjeçe, dhe shtetasi N. H., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë ndërhyrjes në apartamentin e marrë me qira nga 29-vjeçarja, në lagjen “Ahmet Haxhia”, u konstatua se ambienti ishte përshtatur për ushtrim të prostitucionit dhe për shitje të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Në këtë ambient u kap edhe 40-vjeçari, i cili dyshohet se ka përfituar nga veprimtaritë e kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


