Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, e cila i dha fund jetës në mars të këtij viti, pritet të dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
25-vjeçari u arrestua dy ditë më parë, pas më shumë se gjashtë muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim që prej marsit, pasi ndaj tij rëndojnë dyshime për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes.
Sipas hetimeve, autoritetet dyshojnë se Fizi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij dhe se kjo situatë mund ta ketë shtyrë atë drejt aktit fatal.
Nga të dhënat e bëra publike, Fizi dyshohet se ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes. Një ditë më pas, më 10 mars, Xhuana Nikolli i dha fund jetës.
Familjarët e 25-vjeçares kanë bërë kallëzim ndaj ish-bashkëshortit të saj, duke e akuzuar për dhunë dhe duke kërkuar zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e vajzës së tyre.
Gjatë ekzaminimit të trupit të pajetë, sipas burimeve të cituara në materialin hetimor, janë konstatuar shenja dhune. Këto të dhëna janë pjesë e hetimit dhe pritet të vlerësohen nga organet e drejtësisë.
Xhuana Nikolli dhe Eraldo Fizi ishin martuar në verën e vitit 2025, por martesa e tyre përfundoi rreth tre muaj më vonë, pas konflikteve të vazhdueshme.
Pas ngjarjes, Fizi qëndroi për më shumë se gjashtë muaj në arrati. Ai u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Lezhë, pas komunikimit të autoriteteve me familjarët dhe avokatin e tij.
Sipas burimeve të cituara në media, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër për familjarët e saj para vdekjes. Përmbajtja e saj është bërë pjesë e hetimit dhe pritet të merret në konsideratë nga autoritetet gjatë zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Tashmë, gjykata pritet të vendosë për masën e sigurisë ndaj Eraldo Fizit, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në lidhje me akuzat që i atribuohen.
Përditësim: Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollajt, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe e ka shtyrë drejt vetëvrasjes.
Vendimi është marrë pas seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, nën drejtimin e gjyqtares Matilda Fetahu.“Unë jam vetëdorëzuar, jam i penduar dhe jam gati të përgjigjem para drejtësisë për çfarë kam bërë”, mësohet të ketë deklaruar Fizi.
Ai u arrestua pas më shumë se gjashtë muajsh në arrati, pasi ishte shpallur në kërkim që prej marsit të këtij viti.
Fizi akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj. Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë penale të të pandehurit.


