Detaje të reja dalin në dritë pas vrasjes me armë zjarri të 44-vjeçarit Artan Murtaj, i njohur në Sarandë me nofkën “Tani Ruzhdiut”.
Murtaj u ekzekutua paraditen e kësaj të diele në qendër të Sarandës, teksa dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, dyshohet se i zunë pritë dhe e qëlluan me armë zjarri. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj.
44-vjeçari rezulton të ketë pasur precedentë penalë dhe të jetë përfshirë në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Sarandë rreth një vit më parë.
Plagosja e dy personave dhe përplasjet që pasuan
Më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës, u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, me origjinë nga Kamza.
Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, autor i dyshuar i plagosjes ishte Ramadan Zoto, ndërsa Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj akuzoheshin se e kishin ndihmuar Zoton gjatë ngjarjes dhe arratisjes.
Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë pasuan disa episode të tjera kriminale, të cilat u lidhën me një sagë hakmarrjeje.
Në një prej tyre, Isuf Jaçaj, babai i Klaus Jaçajt, u vra me lëndë plasëse. Ndërkohë, u regjistrua edhe një rast i shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.
Për plagosjen e Ernest Lamës dhe Gëzim Hajdarajt, Ramadan Zoto ndodhet në burg, ndërsa Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, të akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, ishin liruar pak kohë përpara vrasjes së 44-vjeçarit.
Në kërkim vijon të jetë Erjon Canaj, sipas të dhënave të bëra publike për këtë dosje.
Murtaj, me precedentë të mëparshëm penalë
Artan Murtaj rezulton të ketë qenë i dënuar edhe më herët për veprën penale “Vjedhje”, ndërsa sipas të dhënave të raportuara, ai njihej gjithashtu si përdorues i lëndëve narkotike.
Tashmë, emri i tij është rikthyer në qendër të një tjetër ngjarjeje të rëndë kriminale. Policia po heton për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar të vrasjes, ndërsa pritet të zbardhen motivet dhe nëse ekzekutimi lidhet me konfliktet e mëparshme.
Hetimet për ngjarjen vijojnë.


