Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të diele në Sarandë, ku një 44-vjeçar është vrarë me armë zjarri, ndërsa një kalimtar ka mbetur i plagosur.
Viktima është identifikuar si Artan Myrtaj, i cili dyshohet se është qëlluar teksa po lëvizte në këmbë, pranë ish-agjencisë së vjetër të qytetit të Sarandës.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Ata dyshohet se i kanë zënë pritë 44-vjeçarit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga të shtënat, përveç Myrtajt, është plagosur edhe një kalimtar, i cili ndodhej në zonën ku ndodhi atentati.
Myrtaj ka mbetur i vdekur në vend si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
I arrestuar në vitin 2025
44-vjeçari Artan Myrtaj rezulton të ketë pasur precedent me drejtësinë. Në vitin 2025, ai ishte arrestuar nga Policia e Sarandës nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pas një rasti plagosjeje me armë të ndodhur në qytet.
Në atë kohë, Myrtaj ishte shpallur në kërkim si një nga personat e dyshuar për përfshirje në plagosjen me armë të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Ngjarja e vitit 2025 dyshohet se kishte lidhje me një konflikt për një pronë në vijën bregdetare.
Ndërkohë, rrethanat e plota të vrasjes së 44-vjeçarit në Sarandë mbeten ende për t’u zbardhur. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po punohet për përcaktimin e motivit të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë.


