Zyrtarë të FBI-së kanë mbërritur në Tiranë në kuadër të një vizite pesëditore, ku në fokus do të jetë forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të reja të sigurisë.
Nga 19 deri më 23 shtator, Tirana pret takimin e 42-të të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates, me temë “Building International Partnerships – Combating Organized Crime for a Safer Environment”.
Konferenca do të hapet zyrtarisht më 21 shtator dhe në axhendë janë parashikuar takime dhe diskutime mes drejtuesve të institucioneve shqiptare, përfaqësuesve të FBI-së dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa.
Në aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të FBI-së, Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ndër temat e diskutimit do të jenë rrjetet kriminale dhe përdorimi i komunikimeve të koduara, si dhe mënyrat se si strukturat ligjzbatuese mund të përballen me këto sfida.
Një tjetër çështje e përfshirë në axhendë është grupimi online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet.
Në fokus do të jetë gjithashtu inteligjenca financiare dhe ndjekja e parave që burojnë nga aktivitetet kriminale. Një nga temat e konferencës, “From Confiscation to Public Good”, lidhet me përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara për qëllime publike.
Gjatë takimit do të prezantohet edhe një rast konkret i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve. Në program janë parashikuar gjithashtu diskutime mbi tendencat e grupeve kriminale dhe përgjigjen e strukturave ligjzbatuese, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptarë të EUROPOL-it.
Konferenca synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare, amerikane dhe europiane përballë zhvillimeve të reja në fushën e krimit dhe sigurisë.


