Ish-drejtori sportiv i Milanit dhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me një vilë në resortin turistik “White Rocks”, në Gjilekë të Dhërmiut.
Tare po hetohet për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërsa emri i tij është përfshirë në hetimin pasuror që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në qendër të hetimit është një vilë me vlerë rreth 145 mijë euro, ndaj së cilës është vendosur masa e sekuestros preventive. Sipas SPAK, pasuria ndodhet në resortin “White Rocks” dhe dyshohet se pronësia reale e saj është fshehur përmes personave të tjerë dhe veprimeve juridike të dyshuara si fiktive.
Hetimi lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, ku SPAK dyshon se kompanisë “Eurocol” sh.p.k. i janë krijuar avantazhe të padrejta gjatë tenderit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, favorizimi dyshohet se ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes parapagimeve dhe mënyrës së zbatimit të kontratës.
Sipas hetimeve të SPAK, përfitimi i dyshuar i parregullt lidhet me vilën F6, me vlerë 145 mijë euro, në kompleksin turistik “White Rocks”. Prokuroria pretendon se për fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë janë përdorur kontrata dhe veprime juridike të dyshuara si fiktive, ku përmendet edhe emri i Igli Tares.
Vila është një objekt dykatësh, me sipërfaqe të brendshme rreth 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë, parcelë prej të paktën 300 metrash katrorë dhe vendparkim brenda pronës.
Pas paraqitjes në SPAK, Tare ka deklaruar se çështja e Albcontrol-it që po qarkullon lidhet me një procedurë të vitit 2014, për të cilën ai pretendon se është e parashkruar.
Hetimet e SPAK vijojnë për të dokumentuar rrethanat e përfitimit, përdorimit dhe regjistrimit të pasurisë, si dhe rolin e personave të përfshirë në këtë çështje.


