Ngërçi i krijuar për pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë këtë të martë bojkotimin e punës nga administrata e disa gjykatave në Tiranë, ndërsa situata është diskutuar edhe në takime të veçanta të drejtuesve të gjykatave dhe prokurorive.
Table Of Content
Administrata e gjykatave nis bojkotin
Problematika me pagat e muajit gusht ka çuar fillimisht në bojkot administratën dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile në Gjykatën e Tiranës. Më pas, bojkotit iu bashkua edhe administrata e Dhomës Penale, duke sjellë bllokimin e shërbimeve.
Në orët e mesditës, edhe administrata e Gjykatës së Apelit iu bashkua bojkotit, duke zgjeruar reagimin e punonjësve të sistemit të drejtësisë.
Për të mos penalizuar personat e arrestuar që duhet të paraqiten përpara gjykatës për vlerësimin e arrestit, është vendosur që gjatë bojkotit të zhvillohen vetëm masat e sigurisë.
Kryetarët e gjykatave mblidhen për situatën
Ndërkohë, kryetarët e gjykatave janë mbledhur në Gjykatën e Lartë për të diskutuar situatën e krijuar dhe për të dalë me një qëndrim lidhur me ngërçin e pagesave dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Situata është krijuar pasi pagat e muajit gusht nuk janë ekzekutuar për magjistratët dhe administratën e sistemit të drejtësisë.
Çela mbledh drejtuesit e prokurorive

Në një zhvillim tjetër, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka mbledhur drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve për të diskutuar situatën e krijuar.
Gjatë mbledhjes është kërkuar një zgjidhje e shpejtë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardeve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas qëndrimit të Prokurorisë së Përgjithshme, palët kanë rënë dakord që çështja të vijojë të trajtohet përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit normal të sistemit të drejtësisë.
Si nisi ngërçi për pagat?
Situata lidhet me mosmiratimin nga Kuvendi, brenda afatit të 31 korrikut, të formulës së re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.
Pas kalimit të këtij afati, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese, ndërsa Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me formulën e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit.
Si pasojë, pa pagat e muajit gusht kanë mbetur jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Ndërsa administrata e gjykatave ka nisur bojkotin, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për ngërçin, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të sistemit.


