Një aksident i rëndë është regjistruar paraditen e së hënës në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë ka humbur jetën, ndërsa tre kolegë të tij janë plagosur gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të ndriçimit.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku katër punonjës të Bashkisë Tropojë po kryenin punime për shpërndarjen dhe vendosjen e shtyllave të ndriçimit.
Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, ka humbur jetën 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj, ndërsa Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, janë transportuar në Spitalin e Bajram Currit për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Njoftimi i Policisë:
“Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjec ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjec., I. D. 47 vjec dhe A. A. 21 vjec ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”


