Banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë kanë vijuar protestën e tyre përpara ambienteve të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar respektimin e kontratave dhe kryerjen e pagesave për tokat e dhëna me qira.
Pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë, palët nuk kanë arritur një marrëveshje. Banorët janë shprehur se nuk pajtohen me kushtet e propozuara dhe kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Ata deklarojnë se mund të ndërmarrin masa më të forta, deri në bllokimin e një pjese të aktivitetit të kompanisë, duke paralajmëruar se nuk do të lejojnë punëtorët të hyjnë në tokat e dhëna me qira derisa të gjendet një zgjidhje.
Dhjetëra banorë nga fshatrat Sheqishtë, Marinëz, Belinë, Zharrëz dhe Kallm u mblodhën këtë mëngjes për të kërkuar, sipas tyre, respektimin e detyrimeve kontraktuale.
Sipas banorëve, tokat e dhëna me qira për aktivitetin naftëmbajtës përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave për familjet e zonës. Ata pretendojnë se kompania prej kohësh nuk ka përmbushur detyrimet financiare të përcaktuara në kontratat me pronarët e tokave.
Banorët thonë se kanë zhvilluar disa protesta dhe takime me drejtues të kompanisë, përfshirë edhe përfaqësues të nivelit të lartë, por pa arritur deri tani një zgjidhje konkrete.
Nga ana tjetër, sipas pretendimeve të bëra gjatë diskutimeve, çështja lidhet edhe me njohjen e disa shpenzimeve nga AKBN, si dhe me kërkesat për ndryshimin e kontratave dhe çmimit të qirasë së tokës.
Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa banorët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë dhe mund të përshkallëzohen nëse nuk arrihet një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë Bankers Petroleum.


