Një konflikt mes tre personave ka përfunduar në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër, ku një 24-vjeçar ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, kur dyshohet se një konflikt për motive të dobëta mes tre personave ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit dhe më pas të një thike.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, shtetasi A. V., 25 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe djalin e tij, Y. L., 24 vjeç.
Në vijim të konfliktit, babë e bir dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës, thikë, 25-vjeçarin A. V.
Të tre personat kanë marrë plagë dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
I riu ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër dhe ushtronte profesionin e udhërrëfyesit turistik.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., 25 vjeç.
Gjatë veprimeve në vendngjarje, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Njoftimi i Policisë:
“Shkodër/Informacion paraprak. Rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç (babë e bir), ndërsa këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç.
Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj”.


