Tre efektivë të Komisariatit të Policisë Kuçovë janë pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet shoqërimi me forcë i një shtetasi në prani të një fëmije të mitur.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili ka urdhëruar gjithashtu nisjen e një hetimi disiplinor ndaj punonjësve.
Të pezulluarit janë inspektorët e Patrullës së Përgjithshme Dashnor Dino dhe Kastriot Meçani, si dhe inspektori i zonës Afrim Muka.
Sipas Policisë, hetimi disiplinor lidhet me dyshimet për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si dhe për veprime që mund të kenë cenuar rëndë figurën e punonjësit të Policisë dhe institucionin.
Në pamje personi shfaqet duke u shoqëruar nga efektivët, ndërsa pranë tij ndodhet një fëmijë i mitur, i cili duket i trembur nga situata.
Pse u shoqërua shtetasi?
Policia ka sqaruar se shoqërimi i shtetasit me inicialet D. T. nuk kishte lidhje me ndërtimet pa leje, siç është pretenduar në rrjetet sociale.
Sipas versionit zyrtar, ndaj tij ishte bërë kallëzim nga kunata e tij, V. T., e cila më 20 korrik kishte deklaruar në polici se ishte kanosur.
Më 3 gusht, pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, efektivët shkuan në fshatin Krekëz për ta shoqëruar D. T., pasi ai nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat.
Materialet e rastit janë referuar në Prokurori për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë me dije se mes palëve ekziston një konflikt i mëparshëm lidhur me një pronë dhe se rasti është trajtuar në vazhdimësi nga Komisariati i Kuçovës.
Hetimi disiplinor do të përcaktojë nëse efektivët kanë shkelur rregullat e shërbimit dhe nëse përdorimi i forcës gjatë shoqërimit ka qenë i ligjshëm dhe i arsyeshëm.


