Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Radostinës në Fier, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Flakët nisën fillimisht në sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, por situata u përkeqësua brenda pak orësh, duke dalë jashtë kontrollit dhe duke përfshirë edhe pyllin me pisha pranë liqenit në Qafën e Koshovicës.

Rrezikohen dy lokale, kërkohet ndërhyrje nga ajri
Zjarri ka krijuar një situatë alarmante në zonë, ndërsa dy lokale pranë vatrës janë vënë në rrezik. Policia ka nisur evakuimin e zonës, ndërsa pronarët e lokaleve kanë kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje nga ajri.
Në terren janë angazhuar 8 mjete zjarrfikëse dhe forca të shumta, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve. Për shkak të intensitetit të zjarrit është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri dhe pritet mbërritja e një helikopteri.
Flakët bllokojnë aksin Fier-Levan
Situata është përkeqësuar më tej pas përhapjes së flakëve drejt zonave pranë rrugës kryesore. Për shkak të tymit dhe rrezikut nga zjarri, është bllokuar qarkullimi në aksin Fier-Levan.
Shtëllunga të mëdha tymi janë përhapur në të gjithë zonën dhe janë të dukshme edhe nga qyteti i Fierit.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës vijojnë operacionin në terren, ndërsa situata mbetet nën monitorim për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.


