Një 32-vjeçar, i arrestuar vetëm dy ditë më parë për vjedhje, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Vlorë, pasi dyshohet se pësoi arrest kardiak në ambientet e Komisariatit të Policisë.
Bëhet fjalë për Enea Shparthin, banues në Vlorë, i cili ishte arrestuar në flagrancë më 29 gusht, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas Policisë, rreth orës 09:50, 32-vjeçari është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore në dhomat e shoqërimit. Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, në orën 10:05 është konfirmuar se 32-vjeçari kishte ndërruar jetë. Paraprakisht, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë arresti kardiak.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Njoftimi i Policisë:
Sot rreth orës 09:50, në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë, është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore shtetasi i arrestuar E. Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar se ky shtetas ka humbur jetën.
Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.
Shtetasi E. Sh. ishte arrestuar në flagrancë më datë 29.08.2026, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.


