Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy personat e dyshuar për dhunimin e një 18-vjeçari, i cili punonte si kamarier në një hotel në zonën e Malit të Robit, në Golem.
Florian Habilaj, 28 vjeç, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç, janë lënë në burg për një afat 45-ditor. Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti lidhur me pagesën e 18-vjeçarit, i cili punonte si kamarier në hotel. Pas konfliktit, i riu dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe është transportuar në Spitalin e Kavajës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pas ngjarjes, policia ka arrestuar edhe xhaxhain e 18-vjeçarit, 47-vjeçarin Melison Nela. Sipas hetimeve, pasi kishte mësuar për dhunimin e nipit, ai është nisur drejt hotelit, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit të tij policia ka gjetur një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Për Melison Nelën, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest në burg” pa afat, për veprën penale që lidhet me armëmbajtjen pa leje.
Ndërkohë, 36-vjeçari Arbër Habilaj është shpallur në kërkim nga policia në lidhje me ngjarjen.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pas konfliktit, ambienti ku dyshohet se ndodhi ngjarja ishte pastruar dhe pajisjet e kamerave të sigurisë ishin dëmtuar. Sipas Policisë, DVR-ja ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë.


