Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin Lushnjë-Berat, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanalin anësor.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur drejtuesi i automjetit, një shtetas i huaj 32-vjeçar, i identifikuar si Smarsuel Gurezi, me profesion pastor.
Sipas informacionit te siguruara nga vendi i ngjarjes automjeti tip “Dacia” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin buzë saj. Fatmirësisht, kanali nuk kishte ujë, duke shmangur një rrezik më të madh për 32-vjeçarin.
Për shkak të përmbysjes, dyert e automjetit janë bllokuar dhe i riu ka mbetur i bllokuar brenda. Për nxjerrjen e tij është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat kanë prerë pjesë të llamarinave të automjetit për ta nxjerrë të plagosurin.
32-vjeçari është transportuar në Spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Dyshimet paraprake lidhen me shpejtësinë e lëvizjes ose një parakalim të gabuar.


