Dy shtetas shqiptarë, 37 dhe 44 vjeç, janë arrestuar nga policia greke në ishullin e Mykonosit, pasi dyshohen për posedim, ruajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë identifikuar si P.M, nga Berati, dhe D.Dh, nga Vlora.
Sipas autoriteteve greke, dy shqiptarët dyshohet se trafikonin së bashku lëndë narkotike dhe përdornin automjete private për transportin dhe fshehjen e drogës.
Pas një hetimi dhe mbikëqyrjeje të vazhdueshme, policia organizoi një operacion, gjatë të cilit kontrolloi një banesë, një motoçikletë dhe dy automjete private që përdornin të arrestuarit.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 365.8 gramë MDMA, të ndara në gjashtë pako, 76.3 gramë kokainë rozë në 19 pako dhe 36.5 gramë kokainë të ndarë në 41 pako.
Gjithashtu, policia gjeti 36 tableta farmaceutike pa recetë, 65,900 euro dhe 125 dollarë amerikanë, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe tre telefona celularë, peshore precize dhe materiale të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për paketimin e lëndëve narkotike.
Dy shqiptarët përballen tashmë me akuzat për posedim, ruajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet për aktivitetin e tyre vijojnë.


