Banorët e Lagjes 15 në Durrës kanë dalë këtë të enjte në protestë për situatën e krijuar tek ish-Parku i Autobusëve, në Spitallë, ku vijon të funksionojë një pikë grumbullimi për mbetjet urbane.
Sipas banorëve, kamionët depozitojnë mbetjet në këtë zonë gjatë ditës, përpara se ato të transportohen drejt landfillit të Sharrës. Por vendgrumbullimi, i cili ishte parashikuar si një zgjidhje e përkohshme, vijon të jetë në funksion prej më shumë se tre vitesh.
Banorët pretendojnë se situata është përkeqësuar gjatë muajve të verës, pasi temperaturat e larta kanë shtuar erën e rëndë dhe ndotjen, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e familjeve që banojnë pranë zonës.

Për shkak të situatës, protestuesit kanë bllokuar për rreth një orë lëvizjen e kamionëve të mbetjeve, duke kërkuar zhvendosjen e pikës së grumbullimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Një prej banorëve u shpreh për mediat se mbi 300 familje preken nga kjo situatë dhe se ankesat e tyre ndër vite nuk kanë marrë zgjidhje.
“Janë mbi 300 familje që preken. Nuk jemi këtu për arsye politike. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë. Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur”, tha ai.
Banori u bëri thirrje drejtuesve të strukturave përgjegjëse që të shkojnë në zonë dhe të shohin nga afër kushtet me të cilat përballen familjet.
“Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale. Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, deklaroi ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet dhe zgjidhjen e problemit të grumbullimit të mbetjeve, duke argumentuar se situata po ndikon në cilësinë e jetës dhe kushtet e banimit në zonë.


