Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Dukat të Vlorës, pasi dyshohet se kishte kultivuar 135 bimë narkotike Cannabis Sativa.
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Afternoon”, pas disa javësh hetime dhe përdorimit të metodave proaktive për dokumentimin e rastit.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet H. K., 33 vjeç, banues në Dukat, i cili u kap në vendin ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike.
Sipas Policisë, pjesa më e madhe e bimëve u asgjësua me anë të djegies, ndërsa një pjesë u sekuestrua si provë materiale.
Kontrollet dhe operacionet kundër kultivimit të kanabisit vijojnë në të gjithë qarkun e Vlorës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.


