Tensione dhe debate janë shënuar këtë të enjte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e cila ishte thirrur jashtë radhe për të diskutuar mbi Reformën Territoriale.
Mbledhja zgjati rreth 20 minuta dhe në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Maliq, që do t’i përcillej Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.
Sipas raportimeve, këshilltarët e majtë deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në vendimmarrje lidhur me propozimin që pritej t’i dërgohej Parlamentit.
Pas këtij qëndrimi, kryetari i Këshillit Bashkiak njoftoi mbylljen e mbledhjes, vendim që shkaktoi reagime dhe debate nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm.
Situata u tensionua edhe më tej kur një i moshuar hyri në sallë me një shkop në dorë dhe nisi të debatonte me kryetarin e Këshillit Bashkiak, duke kundërshtuar mbylljen e mbledhjes.
Debatet dhe përplasjet në sallë lidhen me qëndrimet e ndryshme për procesin e rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale dhe mënyrën se si Këshilli Bashkiak i Maliqit duhet të shprehë qëndrimin e tij zyrtar.


