Janë zabrdhur detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur në Manzë të Durrësit, ku tre të rinj humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas të dhënave paraprake, pesë të rinjtë po ktheheshin nga një club nate në Gjirin e Lalzit, ku kishin shkuar për të ndjekur performancën e reperit të njohur Cllevio, kur automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga.
Mësohet se drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari Kleo Vrioni, dyshohet se humbi kontrollin e makinës, e cila u përplas me një bordurë betoni.
Përplasja ishte fatale për Kleo Vrionin, 26-vjeçaren me shtetësi italiane Sara Brugnatelli dhe 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri.
Ndërkohë, të plagosur mbetën 25-vjeçari Rejsi Vrijoni dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi.
Një tjetër detaj tragjik që mësohet për ngjarjen është se Kleo Vrioni dhe Sara Brugnatelli ishin martuar të dielën. Çifti ndodhej në Shqipëri për të shijuar pushimet, por udhëtimi përfundoi në tragjedi.
Sa i përket gjendjes së të plagosurve, burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se 25-vjeçari Rejsi Vrijoni është jashtë rrezikut për jetën.
Gjendja e 16-vjeçarit Klevis Dervishi paraqitet më e rëndë. Ai ka pësuar politraumë, me dëmtime në disa pjesë të trupit, dhe ndodhet nën monitorim intensiv.
Ngjarja e rëndë ka tronditur familjarët dhe të afërmit e viktimave, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


