Shqipëria është përballur me një situatë të rënduar nga zjarret gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nga janari deri në korrik janë prekur nga flakët 1,255 hektarë sipërfaqe pyjore në të gjithë vendin.
Qarku më i dëmtuar është Vlora, me një sipërfaqe totale prej 466 hektarësh të prekur nga zjarret.
Të dhënat e AKMC-së tregojnë se korriku ka qenë muaji më problematik për sipërfaqet e përfshira nga zjarret, me 476 hektarë.
Më pas renditen:
- Mars: 327 hektarë
- Prill: 296 hektarë
- Shkurt: 58 hektarë
- Qershor: 29 hektarë
- Maj: 22 hektarë
- Janar: 17 hektarë
Vlora kryeson me 466 hektarë
Situata paraqitet veçanërisht e rënduar në qarkun e Vlorës. Vetëm gjatë korrikut janë prekur 309 hektarë, ndërsa në qershor janë regjistruar 21 hektarë.

Sipas të dhënave mujore, në qarkun e Vlorës janë prekur:
- Korrik: 309 ha
- Qershor: 21 ha
- Maj: 6 ha
- Prill: 20 ha
- Mars: 45 ha
- Shkurt: 48 ha
- Janar: 17 ha
Në total: 466 hektarë.
Vështirësitë e Shqipërisë në përballimin e situatave të mëdha të zjarreve janë evidentuar edhe nga Komisioni Europian në raportin e tij për vitin 2025.
Sipas KE-së, kapacitetet kombëtare të reagimit shpesh nuk mjaftojnë kur zjarret përhapen në shkallë të gjerë. Për këtë arsye, Shqipëria ka pasur nevojë më të shpeshtë për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian.
Komisioni Europian rekomandon rishikimin e planeve të emergjencave, përmirësimin e infrastrukturës së paralajmërimit të hershëm dhe forcimin e kapaciteteve operative.
Gjithashtu, KE kërkon përmirësimin e komunikimit të Shqipërisë me qendrën europiane të koordinimit të emergjencave në Bruksel, përmes lidhjes me sistemet përkatëse të komunikimit dhe informacionit.


