Një konflikt familjar për motive pronësie ka rrezikuar të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë.
Policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit mes dy vëllezërve, ndërsa në pranga ka rënë njëri prej tyre.
Ngjarja është trajtuar në kuadër të operacionit të koduar “Lidhja”, pas marrjes së njoftimit për një konflikt brenda familjes.
Sipas Policisë, 47-vjeçari me inicialet J. T., i cili rezulton me precedent kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, dyshohet se për motive pronësie ka kanosur me armë zjarri vëllanë e tij.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar një pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.

Ndërhyrja në kohë e uniformave blu bëri të mundur parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit familjar, i cili mund të përfundonte me përdorimin e armës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.


