Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Divjakë, ku një konflikt në një lokal dyshohet se mund të përfundonte në vrasje. Policia ka arrestuar gjashtë persona të përfshirë në ngjarje, dhe ka sekuestruar dy armë zjarri, njëra prej tyre me silenciator.
Ngjarja nisi në një lokal në pronësi të 50-vjeçarit Zeni Kule, ku për motive ende nën hetim u konfliktuan me sende të forta 22-vjeçari Orgito Lamka dhe 51-vjeçari Shahin Xhepexhiu. Të dy mbetën të dëmtuar dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore u larguan nga komisariati.
Disa orë më vonë, Policia mori informacion se 22-vjeçari Lamka ishte rikthyer në të njëjtin lokal, këtë herë i armatosur me një pistoletë me silenciator. Sipas Policisë, ai dyshohet se kishte qëllim të vriste 51-vjeçarin.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes së rëndë. Gjatë kontrollit, Lamkës iu gjet një pistoletë me silenciator, me fishek në fole dhe gati për qitje.
Në kuadër të operacionit u arrestuan:
- Orgito Lamka, 22 vjeç, i dyshuar për tentativën e vrasjes dhe armëmbajtje pa leje.
- Kevin Sota, 45 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të automjetit iu gjet një armë zjarri pistoletë.
- Serxhio Duda, 28 vjeç, i cili dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin Lamka u rikthye në lokal.
- Santiago Alla, 30 vjeç, i cili, sipas Policisë, ka tentuar të largojë armën e zjarrit nga automjeti i Kevin Sotës.
- Zeni Kule, 50 vjeç, pronari i lokalit, i arrestuar për moskallëkim krimi.
- Shahin Xhepexhiu, 51 vjeç, i arrestuar gjithashtu për moskallëkim krimi, pasi gjatë hetimeve dyshohet se nuk ka treguar të vërtetën lidhur me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, njëra me silenciator, katër automjete dhe gjashtë telefona celularë.
Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit, rolin e secilit prej personave dhe çdo aktivitet tjetër kriminal që mund të lidhet me ngjarjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.


