Tre persona janë arrestuar nga Policia në aksin Librazhd–Elbasan, pasi dyshohet se transportonin kundrejt pagesës emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në kuadër të operacioneve policore të koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”, janë vënë në pranga F.M, A.R dhe D.Ç.
Sipas Policisë, F.M u kap duke transportuar 14 emigrantë në aksin Librazhd–Elbasan, ndërsa A.R dhe D.Ç u arrestuan në një rast tjetër, teksa transportonin 10 emigrantë.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se A.R drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në total, gjatë dy operacioneve u kapën 24 emigrantë, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automjetet që dyshohet se përdoreshin për transportin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.


