Pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, kompania MABCO, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do ta ndjekë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli shprehet se kompania nuk ka marrë deri tani asnjë njoftim zyrtar nga Ministria e Infrastrukturës për vendimin. Ai akuzon autoritetet shqiptare se po e çojnë situatën drejt një përplasjeje në arbitrazh.
“Për një investim strategjik të kësaj rëndësie, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet e shtetit. Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar ka vendosur të ndjekë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar”, shprehet Pacolli.
Sipas tij, kompania MABCO ka tentuar të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe rrugëve institucionale, por këto përpjekje, sipas tij, janë penguar nga veprimet e disa zyrtarëve.
Kompania pretendon se ka investuar mbi 320 milionë euro në projekt dhe se ka përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore, duke qenë pranë fazës së certifikimit të aeroportit.

Pacolli pretendon gjithashtu se, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu MABCO Construction të drejtën e administrimit të aeroportit, kompania nuk është lejuar të hyjë në kantier për një periudhë disa mujore, pas konfliktit me punonjësit e ortakut Valon Ademi.
Sipas kontratës, punimet për Aeroportin e Vlorës duhej të përfundonin në shkurt të vitit 2026. Pas skadimit të këtij afati dhe përfundimit edhe të një afati shtesë 30-ditor të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës, punimet nuk kanë përfunduar.
Për këtë arsye, ministria ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare.
Deri në publikimin e këtij raportimi, 2A Group, kompania e Valon Ademit, nuk ka bërë një reagim publik lidhur me pretendimet e MABCO-s.


