Prej afro 48 orësh, zjarri vijon të përpijë sipërfaqe të mëdha me pyje me pisha në fshatin Ribaj të Mallakastrës.
Flakët, që kanë nisur mëngjesin e ditës së djeshme, kanë avancuar në drejtim të fshatit Lofkënd, duke përfshirë dhjetëra hektarë me pyje dhe bimësi.
Gjatë ditës së djeshme, në terren u angazhuan forca të shumta zjarrfikëse, ndërsa operacioni u mbështet edhe nga ajri me dy helikopterë. Në orët e mbrëmjes zjarri u konsiderua i vënë nën kontroll, por gjatë natës flakët u riaktivizuan.
Sot, në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka mbërritur edhe një avion Air Tractor AT-802F Fire Boss, i cili po ndërhyn nga ajri në vatrat më problematike.
Pavarësisht ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri, era e fortë dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri vijon të djegë sipërfaqe të konsiderueshme me pisha.
Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e flakëve dhe mbajtjen e tyre larg zonave të banuara, ku janë stacionuar mjete dhe efektivë për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për banorët dhe banesat.


