Një konflikt i dyshuar për motive xhelozie ka përfunduar në tragjedi në Vescovato të Kremonës, në Itali, ku një 24-vjeçar shqiptar humbi jetën pasi u godit me thikë në fyt.
Sipas mediave italiane, viktima është Nurian Dalipaj, ndërsa për ngjarjen është arrestuar Mattia Miraglia, 32 vjeç, i cili po hetohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Ngjarja nisi mbrëmjen e së dielës në një bar në Kremona, ku 32-vjeçari dyshohet se pa ish-të dashurën e tij duke biseduar me Dalipajn. Pas një debati dhe një përleshjeje të shkurtër jashtë lokalit, Miraglia u largua drejt banesës së tij në Vescovato.
Pak më vonë, 24-vjeçari dhe dy vëllezërit e tij shkuan pranë banesës së 32-vjeçarit. Sipas hetimeve paraprake, Miraglia doli jashtë i pajisur me një thikë kuzhine dhe, pas një tjetër përplasjeje, goditi Nurian Dalipajn në fyt, duke i shkaktuar plagë fatale.
Gjatë konfliktit mbeti i plagosur rëndë edhe vëllai 20-vjeçar i viktimës, i cili ndodhet në terapi intensive. Edhe autori i dyshuar pësoi një dëmtim në dorë.
Sipas dëshmive të banorëve dhe personave të njohur të autorit të dyshuar, konflikti mes palëve kishte nisur prej kohësh dhe dyshohet se lidhej me ish-partneren e 32-vjeçarit.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivet e ngjarjes, ndërsa krimi ka tronditur komunitetin e vogël të Vescovatos.


