Policia Kufitare e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në hapësirat detare gjatë sezonit turistik, me fokus garantimin e sigurisë së lundrimit dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë patrullimeve në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Shpellës së Haxhi Aliut, efektivët kanë kryer kontrolle të imtësishme ndaj mjeteve lundruese, kryesisht gomoneve dhe skafeve.
Kontrollet kanë përfshirë verifikimin e dokumentacionit, ndërsa drejtuesve u është kërkuar të respektojnë rregullat e sigurisë, të kenë jelekë shpëtimi për të gjithë pasagjerët dhe të mos lejojnë turistët të qëndrojnë mbi tubolarët e gomoneve gjatë lundrimit.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe Shpellës së Haxhi Aliut, një prej destinacioneve më të frekuentuara nga turistët. Policia Kufitare ka kërkuar që mjetet lundruese të mos qëndrojnë me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës, si dhe të mos futen apo zhyten në brendësi të saj, për të garantuar sigurinë e vizitorëve dhe mbrojtjen e zonës.
Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani, ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë çdo ditë gjatë gjithë sezonit veror.
Sipas saj, vetëm gjatë muajit korrik janë vendosur 32 masa administrative dhe janë bllokuar 32 mjete lundruese për shkelje të ndryshme të legjislacionit detar.
Në dy raste, për shkelje të rënda, janë vendosur gjoba prej 500 mijë lekësh të rinj, ose 5 milionë lekë të vjetra, secila.
Policia Kufitare u bën apel drejtuesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat e lundrimit dhe të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, duke vendosur në plan të parë sigurinë dhe jetën e turistëve.


