Fluksi i turistëve dhe emigrantëve në Portin e Vlorës vijon të jetë i lartë, në kulmin e sezonit turistik.
Gjatë ditës së djeshme, me dy tragetet e linjës Brindisi–Vlorë, mbërritën në port rreth 1,100 pasagjerë dhe 350 automjete.
Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme pritet që dy tragetet e kësaj linje të sjellin në Vlorë rreth 900 pasagjerë dhe 300 automjete. Trageti i parë është ankoruar në orët e para të mëngjesit, ndërsa i dyti pritet të mbërrijë rreth orës 17:00.

Pjesa më e madhe e udhëtarëve janë turistë të huaj, të cilët kanë zgjedhur rivierën shqiptare për pushimet verore. Krahas tyre, në Vlorë po mbërrijnë edhe emigrantë shqiptarë që janë kthyer në vend për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Për të përballuar fluksin e shtuar dhe për të shmangur vonesat në përpunimin e dokumentacionit, Policia Kufitare ka rritur kapacitetet e kontrollit, duke shtuar numrin e sporteleve nga 8 në 12.
Sipas autoriteteve portuale, fluksi i udhëtarëve pritet të vijojë të rritet gjatë gjithë muajit gusht, i cili përkon me kulmin e sezonit turistik.
Porti i Vlorës mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes në Shqipëri për turistët dhe emigrantët që udhëtojnë nga Italia.


