Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dritën jeshile për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh, në kuadër të programit Financimi i Huaj Ushtarak (FMF).
Sipas njoftimit të palës amerikane, marrëveshja e nënshkruar nga Shqipëria synon të mbështesë përpjekjet e vendit për përmbushjen e Angazhimit të Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen deri në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Fondet e huasë do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve dhe pajisjeve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja synon gjithashtu forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.
Në njoftimin amerikan theksohet se marrëveshja është pjesë e partneritetit strategjik mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka bashkëpunuar me Uashingtonin në çështje të rëndësishme të sigurisë dhe politikës së jashtme.
SHBA vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë pjesëmarrjen e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump.
Marrëveshja prej 302 milionë dollarësh pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve ushtarake shqiptare dhe thellimin e bashkëpunimit të sigurisë mes Shqipërisë dhe SHBA-së.


