Protestuesi Niko Qarkaj, i arrestuar gjatë tensioneve të 2 korrikut para Kuvendit dhe i liruar me vendim të Gjykatës së Tiranës, mori fjalën mbrëmjen e sotme në protestën para Kryeministrisë.
Gjatë fjalimit të tij, Qarkaj pretendoi se ishte dhunuar në Komisariatin e Policisë dhe u shpreh i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën për largimin e qeverisë.
“Jam Niko Qarkaj. Kam lindur në qytetin e bukur të Pukës. Gjyshin tim ma kanë varur në litar në vitin 1947. Babain tim ma shfrytëzuan në miniera. Mua më pitë gjakun prej 36 vitesh. Djalin ma detyruat që të hipë në gomone në moshën 15 vjeçare për të ikur në Londër. Ky që drejton këtë qeveri, është një diktator që nuk e ka njohur gjithë Europa. I them Edi Ramës, ‘çfarë po kërkon nga populli shqiptar që të shporresh?’. Do gjak Edi Rama? Zoti Rama, nëse ti do jetë njeriu, unë do jem i pari që do jap jetën në këtë shesh. Akoma nuk e besoj mbështetjen tuaj. Jeni të paparë. Asnjëherë në jetën time nuk kam parë popull kaq guximtar sa këtë vit. Edi Rama, edhe një gjë tjetër, unë po shoh këtu rreth 12 mijë vetë. Nëse ti jep urdhër për arrestimin e 12 mijë vetëve, ku do i burgosësh? Te burgu jot në Surrel? I kërkoj gjithë popullit shqiptar, mos u dorëzoni, nëse dorëzoheni sot, çdo gjë ka marrë fund. Rama të lutem ik me dëshirë, se populli ka edhe mënyra të tjera për të të shporrur nga Shqipëria”, tha Qarkaj gjatë protestës.


