Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të diel, duke hyrë në ditën e saj të 36-të. Qytetarë të shumtë janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku kanë përsëritur kërkesat për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Gjatë tubimit, një prej qytetarëve që mori fjalën nga podiumi i improvizuar u bëri thirrje protestuesve të qëndrojnë të bashkuar, duke theksuar se diaspora vijon t’i mbështesë.
Protestës iu bashkuan edhe disa prej personave të liruar këtë të diel, të cilët ishin arrestuar pas tensioneve të regjistruara më 2 korrik para Kuvendit.
Njëri prej tyre deklaroi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe se gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë protestuesit janë dhunuar dhe nuk kanë marrë ndihmë mjekësore.
“Unë jam një nga të arrestuarit në 2 korrik. Jemi arrestuar në mënyrë të paligjshme, kemi qenë te Kuvendi dhe kemi kërkuar informacion për një prej protestuesve dhe jemi dhunuar. Ata që kanë qenë në Bllokun e Sigurisë kanë pësuar dhunë, nuk na është ofruar as ndihma mjekësore. Ata atje nuk janë huliganë, nuk janë kundër ligjit, ata djem janë kundër autokracisë, janë për shtetin ligjor dhe për ta kthyer Shqipërinë në shinat demokratike”, u shpreh ai.
Protesta vijon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tubimeve edhe në ditët në vijim.


