Një tjetër akt simbolik ka shoqëruar protestën e ditës së 35-të para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Gjatë tubimit, një grup studentësh sollën një statujë të ideuar për të përfaqësuar kryeministrin Edi Rama. Statuja ishte e pajisur me syze të kuqe, ndërsa në qafë mbante një pankartë me mbishkrimin “Diktatori i fundit”.
Në një veprim simbolik, protestuesit rrëzuan statujën, duke kujtuar rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Më pas, statuja u nda në dy pjesë dhe u shkelmua nga pjesëmarrësit në protestë.
Sipas organizatorëve, veprimi synonte të përcillte një mesazh politik në kuadër të protestës që prej javësh zhvillohet kundër qeverisë, ndërsa përkoi edhe me ditëlindjen e kryeministrit.
Protesta vijoi më pas me fjalime dhe thirrje të pjesëmarrësve përpara godinës së Kryeministrisë, nën mbikëqyrjen e forcave të Policisë.


