Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Kukësit, ku janë zbuluar dhe asgjësuar 1,874 bimë të dyshuara Cannabis Sativa në fshatin Vlahën, në bashkinë Has.
Në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”, autoritetet arrestuan babë e bir, të dyshuar si organizatorë të kultivimit të parcelës me kanabis, ndërsa një tjetër anëtar i familjes është shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë një 70-vjeçar dhe djali i tij 34-vjeçar, banues në fshatin Vlahën. Ndërkohë, policia po punon për kapjen e djalit tjetër të 70-vjeçarit, i cili dyshohet se është përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, uniformat blu sekuestruan edhe municion luftarak si dhe 5 metra fitil zjarrpërcjellës, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Në lidhje me këtë rast është proceduar penalisht edhe kryetari i fshatit Vlahën, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia bën me dije se kontrollet në kuadër të operacionit “Territor i Pastër” do të vijojnë në të gjithë qarkun e Kukësit, me synim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike


