Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Xhyherinë në Vlorë, ku një 23-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa dyshohet se ka konsumuar fotoksinë.
Viktima është identifikuar si Ola Metani. Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte e fejuar dhe jetonte me partnerin e saj.
Dhimbjen për humbjen e saj e ka shprehur edhe xhaxhai përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.
“Menduam që mjaft i kemi pasur lotët, por ikja jote na hidhëroi shpirtin. Ishte një lule e bukur dhe e tillë do të mbetesh gjithë jetën. Lamtumirë, o yll i xhaxhit,” shkruan ai.
Ndërkohë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar pretendime nga persona që njihnin të renë, sipas të cilëve ngjarja mund të ketë lidhje me probleme në jetën personale. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Deri në këto momente, Policia e Shtetit nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi shkaqet që çuan në humbjen tragjike të jetës së 23-vjeçares.


