Një ngjarje e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Nju Jork, ku një çift realizoi një nga propozimet më spektakolare të martesës, pasi u ngjit në majën e ndërtesës ikonike Empire State Building, në një lartësi mbi 440 metra.
Të veshur me të zeza, dy të rinjtë u panë fillimisht duke shpalosur një banderolë me mesazhin: “Kur fuqia e dashurisë tejkalon dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen”, duke përcjellë një thirrje simbolike për paqe dhe dashuri.
Surpriza më e madhe erdhi pak çaste më vonë. Pasi zbritën në një platformë më të ulët të ndërtesës, burri u ul në gjunjë dhe i propozoi partneres për martesë. Ajo pranoi menjëherë, ndërsa të dy u përqafuan dhe u puthën me panoramën e Nju Jorkut në sfond.
Pamjet e këtij momenti romantik janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u bërë virale në mbarë botën.
Pas ngjarjes, në vendngjarje ndërhyri Policia e Nju Jorkut, e cila shoqëroi çiftin gjatë zbritjes. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar se si ata arritën të ngjiteshin në majën e ndërtesës pa u ndaluar.


