Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka arritur një tjetër bilanc tronditës. Sipas një studimi të publikuar nga Center for Strategic and International Studies (CSIS), numri total i viktimave, të plagosurve dhe të zhdukurve në konflikt ka kaluar shifrën e 2 milionë personave, duke e bërë këtë një nga luftërat më të përgjakshme të kohëve moderne.
Raporti vlerëson se Rusia ka pësuar rreth 1.4 milionë humbje ushtarake, ku përfshihen të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur. Prej tyre, rreth 450 mijë ushtarë besohet se kanë humbur jetën që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Ukraina llogaritet të ketë pësuar mes 525 mijë dhe 625 mijë humbje, ndërsa numri i të vrarëve vlerësohet të jetë mes 125 mijë dhe 150 mijë.
Studiuesit theksojnë se, gjatë muajve të fundit, raporti i humbjeve është përkeqësuar ndjeshëm për Rusinë. Sipas analizës, për çdo ushtar ukrainas të vrarë, të plagosur ose të zhdukur, regjistrohen rreth tetë humbje nga pala ruse, një ndryshim që lidhet kryesisht me zhvillimin e teknologjisë së dronëve nga Ukraina dhe strategjinë mbrojtëse të saj.
Raporti evidenton gjithashtu se Rusia po përballet me vështirësi në zëvendësimin e trupave të humbura, ndërsa rajonet më të varfra dhe komunitetet etnike kanë pësuar barrën më të madhe të mobilizimit dhe humbjeve.

Autorët e studimit vlerësojnë se përmasat e konfliktit kanë arritur nivele historike, duke e krahasuar numrin e përgjithshëm të viktimave me disa nga betejat më të përgjakshme të shekullit të kaluar.


