Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Bicaj të Kukësit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar mbi një banesë, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:40 në aksin rrugor Kukës–Bicaj. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një automjeti tip Volkswagen dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përplasur fillimisht me murin rrethues të një shtëpie dhe më pas ka përfunduar mbi çatinë e saj.
Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur shoferi dhe dy pasagjeret që udhëtonin me të. Fillimisht ata morën ndihmën e parë në spitalin e Kukësit dhe më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Sipas burimeve spitalore, të tre të plagosurit ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha si në automjet, ashtu edhe në banesën ku përfundoi mjeti.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat nisën hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Njoftimi paraprak i Policisë
“Rreth orës 01:40, në aksin rrugor “Kukës-Bicaj”, shtetasi T. C., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një banese.
Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjeret, shtetaset M. C. dhe Xh. A., të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.”


