Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar dëme materiale në një lokal dhe në një automjet të parkuar pranë tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45, në lagjen “Pavarësia 3”, ku sipas informacioneve paraprake, një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse është vendosur në derën e një lokali në pronësi të shtetasit me iniciale G.P.
Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat siguruan zonën dhe nisën hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e shpërthimit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Policia vijon veprimet hetimore, ndërsa pritet që kamerat e sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.


