Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej” për protestën e 32-të radhazi, e cila zhvillohet në kryeqytet. Aktivistë dhe pjesëmarrës të shumtë janë mbledhur që prej orës 19:00, duke mbajtur në duar pankarta dhe flamuj.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të vijojnë me thirrjet dhe kërkesat e tyre. Më pas, marshimi pritet të vazhdojë në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Mes tyre janë dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si edhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Protesta po zhvillohet në mënyrë të organizuar, ndërsa në zonë janë angazhuar edhe forca të Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e tubimit.


