WhatsApp ka njoftuar një nga ndryshimet më të mëdha të viteve të fundit, duke prezantuar username (emrat e përdoruesve), një veçori që do t’u lejojë përdoruesve të komunikojnë pa zbuluar numrin e tyre të telefonit.
Kompania ka bërë të ditur se, duke nisur nga kjo javë, përdoruesit mund të rezervojnë username-in e tyre, ndërsa funksioni do të aktivizohet gradualisht gjatë muajve në vijim.
Sipas WhatsApp, risia synon të rrisë privatësinë, veçanërisht në rastet kur përdoruesit komunikojnë me persona të panjohur ose bëhen pjesë e grupeve të reja, pa pasur nevojë të ndajnë numrin personal të telefonit.
Për krijuesit e përmbajtjes, bizneset e vogla dhe organizatat, platforma do të ofrojë mundësinë që të përdorin të njëjtin username që kanë aktualisht në Instagram ose Facebook, duke ruajtur identitetin e tyre në të gjitha platformat e Meta.
WhatsApp thekson se nuk do të ketë një direktori publike të username-ve. Përdoruesit do të mund të kontaktohen vetëm nga personat që njohin saktësisht emrin e tyre të përdoruesit. Gjithashtu, do të ofrohet edhe një opsion shtesë sigurie për të kufizuar se kush mund të dërgojë mesazhe përmes username-it.
Pasi funksioni të jetë i disponueshëm, përdoruesit që zgjedhin të përdorin username nuk do ta shfaqin më numrin e telefonit gjatë kontaktit të parë me persona ose biznese.
Rezervimi i username-it mund të bëhet nga Settings > Account > Username, pasi të përditësohet aplikacioni në versionin më të fundit.


