Pas tensioneve të regjistruara më herët pranë Kuvendit dhe shoqërimeve të disa protestuesve nga Policia e Shtetit, qytetarët janë mbledhur këtë mbrëmje në Sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, protestuesit kanë ecur në këmbë në bulevardin kryesor të Tiranës, duke brohoritur vazhdimisht kundër qeverisë. Mes thirrjeve më të forta që dëgjohen gjatë marshimit është: “Ju erdhi fundi!”
Protesta zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa forca të shumta policie monitorojnë situatën përgjatë itinerarit të marshimit.
Tubimi vjen pas incidenteve të ndodhura gjatë ditës para Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, si edhe shoqërimin e disa qytetarëve, mes tyre edhe aktivistit Dritan Goxhaj, i cili u lirua më vonë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestës dhe pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në tubimin para Kryeministrisë.


