Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin Berat–Tiranë, ku një furgon i transportit të pasagjerëve doli nga rruga, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, deklaroi nga vendi i ngjarjes se njoftimi për aksidentin është marrë rreth orës 15:00. Sipas të dhënave paraprake, mjeti humbi kontrollin, u përplas fillimisht me trafikndarësen dhe më pas doli nga rruga.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona, ndërsa 12 të tjerë janë plagosur. 7 prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa mes të plagosurve është edhe një fëmijë, gjendja shëndetësore e të cilit raportohet shqetësuese.
Policia bëri të ditur se furgoni ishte i licencuar për linjën Berat–Tiranë dhe në momentin e aksidentit po udhëtonte drejt kryeqytetit.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.


