Tensione janë regjistruar këtë të martë para godinës së Kuvendit, ku protesta e zhvilluar jashtë Parlamentit është shoqëruar me incidente mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë daljes së automjeteve nga ambientet e Parlamentit, disa protestues kanë hedhur vezë në drejtim të makinave të zyrtarëve. Mes automjeteve të goditura ka qenë edhe ai i zëvendëskryeministres Albana Koçiu.
Forcat e Policisë së Shtetit kanë krijuar një kordon sigurie për të garantuar lëvizjen e automjeteve dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes u arrestuan disa protestues, mes tyre edhe aktivisti Dritan Goxhaj.
Pas arrestimeve, dhjetëra qytetarë u mblodhën fillimisht pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe më pas para Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve. Protestuesit brohorisnin “Lironi çunat”, ndërsa akuzonin policinë për përdorim të dhunës së pajustifikuar gjatë ndërhyrjes.
Pas rreth tre orësh qëndrimi në Komisariatin nr. 1, Dritan Goxhaj dhe një tjetër qytetar i ndaluar u liruan. Megjithatë, katër protestues të tjerë vijojnë të mbahen nga policia, ndërsa qytetarët e mbledhur para komisariatit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm edhe të tyre.
Protesta është pjesë e mobilizimeve të vazhdueshme kundër qeverisë, ndërsa në zonën përreth Kuvendit vijojnë të jenë të pranishme forca të shumta policie.


