Atmosfera para godinës së Kuvendit është shoqëruar me grumbullimin e protestuesve, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së organizatorëve për t’u mbledhur përpara nisjes së seancës plenare të kësaj të marte.
Tubimi ishte paralajmëruar që një natë më parë, ndërsa qytetarët kanë nisur të mblidhen në orët e para të mëngjesit pranë Parlamentit. Gjatë protestës dëgjohen thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e tij.
Për shkak të protestës së paralajmëruar, deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur në ambientet e Kuvendit rreth 30 minuta përpara fillimit të seancës, e cila është planifikuar të nisë në orën 10:00.
Forca të shumta policie ndodhen në zonë për të garantuar mbarëvajtjen e rendit dhe zhvillimin normal të punimeve parlamentare, ndërsa situata po monitorohet në vijim.


