Policia e Pogradecit ka bërë të mundur brenda pak minutash kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes me armë zjarri që ndodhi mesditën e së hënës në lagjen nr. 3 të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 13:15, gjatë një konflikti, shtetasi Nikolla Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Brian Syzo, rreth 35 vjeç.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me efektivët e Stacionit të Policisë Përrenjas, organizuan kontrolle intensive dhe arritën të lokalizojnë e kapin autorin e dyshuar në Përrenjas. Ai është shoqëruar në komisariat për veprimet e mëtejshme procedurale.
I plagosuri u transportua në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.


