Një hetim i rëndësishëm mbi dyshimet për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim pronash në zonat e Orikumit, Radhimës dhe Dukatit ka kaluar tashmë në duart e SPAK.
Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën dhe i ka përcjellë dosjen Prokurorisë së Posaçme, e cila ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimeve të depozituara nga banorë të zonës.
Sipas burimeve, SPAK ka kërkuar jo vetëm dosjen e transferuar, por edhe të gjitha aktet hetimore të mbledhura nga Prokuroria e Vlorës gjatë fazës paraprake të hetimit.
Në kuadër të hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa në Vlorë, si dhe në zyrat e Hipotekës së qytetit, për të siguruar prova lidhur me skemën e dyshuar.
Hetimi lidhet me pretendimet se sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore në Orikum, Dukat dhe Radhimë janë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë regjistruar në hipotekë, duke dëmtuar banorët që pretendojnë se i kanë përfituar këto prona sipas ligjit 7501.
Kallëzimet janë depozituar nga një grup banorësh të zonave të prekura, të cilët kanë kërkuar hetim për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe përfshirje të mundshme në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Tashmë pritet që SPAK të thellojë hetimet për të zbardhur nëse pas tjetërsimit të këtyre pronave fshihet një skemë e organizuar që ka vepruar ndër vite në bregdetin e Vlorës.


